Gjatë kontrolleve të zhvilluara ditët e fundit në Pikëkalimin Kufitar Vermicë, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë Kufitare kanë zbuluar tri raste të mallrave të padeklaruara nga udhëtarë që hynin në Kosovë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës: Në rastin e parë janë gjetur 327 copë folje mbrojtëse për telefona, të fshehura në bagazh dhe në gomë rezervë, në rastin e dytë janë zbuluar produkte ushqimore dhe vitamina për kafshë pa fatura përkatëse dhe në rastin e tretë janë gjetur kamera dhe mbajtëse statike për kamera të padeklaruara.
Në të gjitha rastet, mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK).
Dogana e Kosovës apelon tek qytetarët që të deklarojnë mallrat e tyre gjatë kalimit të kufirit, për të shmangur ndëshkimet ligjore.







