Shpërthimi në Zubin Potok, Rama: Kjo goditje kriminale duhet zbardhur sa më parë! BE të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës

Kryeministri Edi Rama e konsideron një goditje kriminale shpërthimin mbrëmjen e djeshme në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

Në një postim në rrjetin social X ai shprehet se Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai thekson se formati ekzistues i dialogut ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara mes dy vendeve.

Rama: Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.

Një shpërthim ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut në veri të Kosovës duke dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi. Kjo u bë pasi gjatë ditëve të fundit pati disa incidente.

Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar dyshohet se janë prapa këtij shpërthimi. Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Dëmi u konsiderua serioz dhe u shkaktuan ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën Energjetike të Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA