Tre persona janë arrestuar gjatë 24 orëve për armëmbajtje pa leje, raporton EO.
Policia ka njoftuar se në Prishtinë gjatë kontrollit i është gjetur një armë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 15 fishekë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, në Lipjan janë bastisur dy shtëpi dhe arrestuar dy persona për armëmbajtje pa leje.
“Pas pranimit të informatës se i dyshuari mashkull kosovar posedon një armë gjuetie të cilën e kishte marrë nga (i dyshuari i dytë) mashkull kosovar, në konsultim me prokurorin është bastisur shtëpia e të dyshuarit të dytë, i cili vullnetarisht ka dorëzuar armën në fjalë, pushkë gjuetie e cila ishte konfiskuar. Te dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në Prishtinë, njësia policore gjatë kontrollit të dyshuarit kosovar tek i njëjti ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 10 fishekë.
“I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.